Kosova voton

Kosova voton

Të dielën e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

24 subjekte politike me 1,180 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

 Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka treguar për hapat e fundit që KQZ është duke ndërmarrë para fillimit të votimit, të dielën, në orën 07:00 të mëngjesit.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.

Për zgjedhjet e sotme parlamentare garojnë 24 subjekte politike me 1 mijë e 180 kandidatë për deputetë. Në garë janë 8 subjekte shqiptare me 624 kandidatë që do të garojnë për 100 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërkaq për 20 ulëset e garantuara garojnë subjektet nga komunitetet që jetojnë në Kosovë.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë